Lajme

E tmerrshme: Në Mitrovicë të Veriut nderohen 3 terroristët e vrarë, merr pjesë edhe Lista Serbe

Tre terroristët e vrarë në Banjskë, janë duke u nderuar në Mitrovicën e Veriut, atje ku janë vendosur fotografitë e tyre dhe qirinj. Nacionale po qëndron në Mitrovicën e Veriut, ku shihet se një numër qytetarësh janë mbledhur në nderim të terroristëve.

Po ashtu, të pranishëm janë edhe krerët e Listës Serbe, Goran Rakiq e Igor Simiq.

Kujtojmë që dy ditë më parë, Policia e Kosovës arriti të parandalojë përshkallëzimin e situatës së sigurisë, duke neutralizuar grupin terrorist serb në veri. Ndërsa, tashmë kanë nisur të zbardhen edhe më shumë detajet e sulmit terrorist ndaj Kosovës, pjesë e të cilit grup, sigurisht si udhëheqës, ishte Milan Radojiçiq, nënkryetar i Listës Serbe dhe i sanksionuar nga ShBA-ja dhe Britania, si dhe i kërkuar nga Kosova nën dyshimin për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshme , Xhelal Sveçla, ka theksuar grupi i Radojçiqit planifikonte destabilizimin e veriut të Kosovës. Në një intervistë për “Euronews Albania”, Sveçla ka thënë se ata kishin në plan edhe shpalljen e një autonomie për pjesën veriore.

“Flitet për 200 persona potencialisht të rekrutuar të cilët do të ishin pjesë e këtij skenari. Plani ka qenë që ata të zbresin më në jug deri në vijën e lumit Ibër dhe përmes sulmeve të pamundësonin policinë e Kosovës të vepronin lirshëm dhe më pas të deklaronin ndonjë autonomi apo diçka tjetër”, ka thënë Sveçla.

Ai ka bërë me dije se grupi e kishte logjistiken e një ushtrie.

“Kjo është një logjistikë që e ka një ushtri e mirëfilltë. Numrat e armatimeve po shtohen. Kemi zbuluar dhe një autoblind tjetër. Ka kamionë dhe buldozerë të cilët kanë mbartur municione. Ka raketa hedhës më shumë, mina anti-tank më shumë, mina anti-personel më shumë. Kjo listë e gjatë po përditësohet. Ky mitroloz me nitroglicerinë as policia nuk e ka në zotërim, kjo është ushtarake dhe vjen drejtpërdrejt nga depot e Serbisë”, është shprehur Sveçla.

Sot, Sveçla ka publikuar pamje që tregojnë Milan Radojiçiq, nënryetar të Listës Serbe, ku shihet duke u fshehur pas organizimit të sulmit terrorist në veri të Kosovës.

Sveçla ka publikuar pamjet që duket të jenë në manastirin e Bajnskës, ku shihet Radojiçiq dhe pjesëtar të tjerë të këtij grupi.

“Kryekrimineli Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve.” – ka shkruar ai në Facebook.

Po ashtu, Sveçla ka thënë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq përmes Listës Serbe ndërmorrën veprimin terrorist kundër Kosovës.

“Ndërkohë, ditët e zisë të shpallura sot nga Serbia dhe Lista Serbe janë tashmë vulosja e autorësisë së këtij organizimi.” – ka thënë ai.