Policit të vrarë sot në Zveçan i ishte aksidentuar për vdekje djali
Policit Afrim Bunjaku që u vra në orët e para të ditës së sotme në fshatin Bajnskë të Zveçanit i kishte vdekur djali para më shumë se 10 viteve në një aksident.
Një hulumtim i Gazetës Jeta në Kosovës kishte zbardhur se ndaj personit që kishte shkaktuar aksidentin, Blerim Kasumi gjykata kishte urdhëruar marrjen e patentë shoferit.
Policia asokohe nuk e kishte ekzekutuar këtë urdhër të gjykatës, e Fatlumi, djali i Afrimit kishte mbetur i vdekur në këtë aksident.
Fatlum Bunjaku, i cili në kohën e aksidentit kishte vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç, ishte goditur nga makina e Blerim Kasumit, derisa po shkonte në punë praktike si mekanik.
I riu ishte aksidentuar më 10 shtator 2012, në fshatin Milloshevë që ndodhet në rrugën Prishtinë Mitrovicë, dhe ka vdekur në vend.
“Data 10 shtator ka qenë ditë tragjike. Kam qenë në punë kur e kam marrë lajmin se djali im është aksidentuar. Kur kam arritur te restorant ‘Shega’ kam pa që djali im është aksidentuar” – kishte treguar tashmë i ndjeri, Afrimi.
Ngasësi i makinës, Blerim Kasumi ishte larguar nga vendi i ngjarjes, për t’u arrestuar nga Policia rreth katër orë më pas.