Lajme

I rrahën dy të miturat që u kapën me fëmijët e tyre, këto janë dy gratë nga Istogu që përfunduan në ndalim policor

Në telashet mes fëmijëve, në shumë raste përfshihen edhe të rriturit. E këta të fundit shpeshherë humbin kontrollin mbi veprimet e tyre, duke eskaluar në dhunë verbale e fizike ndaj të miturve. Një rast i tillë ka ndodhur dje në fshatin Kovragë të Istogut, ku dy gra dyshohet se kanë rrahur dy vajza të mitura, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se bëhet fjalë për Gentiana Musollaj [33-vjeç] dhe [Rabije Mujaj [57-vjeç].

E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një zënke mes dy viktimave dhe fëmijëve të të dyshuarve, gjë që ka bërë që këto të fundit të marrin vetë drejtësinë në duar.

Ato dyshohet se kanë sulmuar fizikisht të miturat, duke iu shkaktuar atyre lëndime trupore, për çka kanë marrë edhe ndihmë mjekësore në spital.

Njësitë policore kanë arritur që t’i arrestojnë të dyshuarat, të cilat janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që Musollajt dhe Mujajt t’u caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të prerë nga gjykata.