Plagosja në Rahovec, vdes njëri nga vëllezërit Veliu – ishte duke u trajtuar në QKUK
Dy vëllezërit N. dhe L. Veliu në Rahovec, pasditen e së martës i zuri një sherr, i cili mund të përfundonte edhe me fatalitet. Ata pas një zënke verbale u plagosën me armë zjarri dhe si pasojë u dërguan me urgjencë në spital, ndërsa të dyshuarit u dorëzuan në Polici. Enver Sylka dhe Emir Sylka, përfunduan në ndalim dhe ndaj tyre është ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, raporton Sinjali.
Plagët që i mori nga arma e zjarrit, nuk mundi të ju bëjë ballë Nazmi Veliu, i cili u nda nga jeta gjatë trajtimit në QKUK.
Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
“Dje rreth orës 21:40 jemi njoftuar se viktima, mashkull i lindur në vitin 1971, ka ndërruar jetë në QKUK. I ndjeri me datën 19.09.2023 ishte qëlluar me armë zjarri në rrugën “Fahri Fazliu” në Rahovec”, tha Elezi.
Ai vdiq si pasojë e plagëve të marra në një konflikt familjar në një vend në Rahovec, aty ku u plagos edhe i vëllai, nga i njëjti i dyshuar.
Sipas doktorëve të QKUK-së, i ndjeri “ka pësuar lëndime jashtëzakonisht të rënda. Plumbi i cili ka atakuar shpretkën, pastaj njërën veshkë dhe zorrën e trashë”.
Si ndodhi rasti?
E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti verbal mes palëve, e që më pas situata kishte eskaluar kur Emiri ka shtënë me armë zjarri në drejtim të vëllezërve Veliu.
Nga Policia në Gjakovë thanë të martën për Sinjalin se janë kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarve, ku janë sekuestruar gjashtë armë zjarri dhe municion.
Ndërkohë dy viktimat po trajtohen në spital, ku sipas burimeve të Sinjalit, njëri nga ta është në gjendje më të rëndë dhe është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të prerë nga gjykata.