“Nga miqësia që kishit s’e kisha besu që iu shoh kështu”, ish-kolegu me postim prekës për personin që u vra dje në Malishevë
Disa të shtëna me armë zjarri që dyshohet se u shkrepën nga Isuf Zogaj, e lanë të vdekur në vend shokun e tij, Avni Basha, mëngjesin e djeshëm në fshatin Banjë të Malishevës. I dyshuari është dorëzuar në stacion policor dhe tashmë është dërguar në mbajtje, ndërsa për vdekjen tragjike të të riut ka pasur reagime të shumta, raporton Gazeta Sinjali.
Një qytetar i cili kishte punuar më parë në të njëjtin vend me Zogajn dhe Bashën, ka shprehur pikëllimin e tij për ngjarjen tragjike.
Ai ka përmendur miqësinë mes dy personave të përfshirë, duke thënë se është e pabesueshme që mund të vihej deri në këtë situatë.
“Nga miqesija qe kishit ju nuk e kisha besu qe do ju shihna keshtu ish koleg e mi Ngushllime Familjes shokve edhe kolegve edhe ish kolegte nga Bechtel-Enka R7 R6 Pusho ne paqe Avni Basha”, shkroi ai në Facebook.
Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ekipi mjekësor i Emergjencës, konstatoi vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes.
“Rreth orës 07:15 është raportuar se në fshatin Banjë-Malishevë, viktima mashkull i moshës madhore është gjetur pa shenja jetë, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri. Ekipi mjekësor i cili ka dalë në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e tij. Një person, po ashtu mashkull i moshës madhore, është dorëzuar në Stacionin Policor në Malishevë dhe nga hetimet e para dyshohet se i njëjti, për motive ende të panjohura, ka qëlluar viktimën me armë zjarri”, tha Elezaj për Sinjalin.
Dje janë publikuar edhe pamje ku i dyshuari dhe viktima shihen se kanë punuar së bashku në sektorin e ndërtimtarisë.
Sipas informacioneve që posedon Sinjali, ngjarja e rëndë dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti verbal për motive banale mes dy personave të përfshirë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.