Lajme

Arrihet kompromisi për vizat, hyrja në fuqi më 1 nëntor 2023

Në grupin punues për vizat në Bashkimin Evropian është arritur kompromis që vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën do të merret së shpejti, ndoshta edhe para fundit të këtij viti. Por hyrja e tij në fuqi do të caktohet për datën 1 nëntor të vitit 2023. Në vendim pritet të përfshihet edhe hyrja në fuqi e sistemit ETIAS.

Ky ka qenë kompromisi që Franca kishte propozuar që hyrja në fuqi e vendimit të lidhet me nisjen e zbatimit të ETIAS-it, pa përmendur datë. Në atë rast, po të kishte kaluar sipas propozimit të Francës, nuk do të kishte datë të prerë për hyrjen në fuqi pasi nisja e zbatimit të ETIAS-it mund të vonohet. Në këtë rast, sipas paralajmërimeve nga diplomatët e BE-së, do të përmendet edhe zbatimi i ETIAS-it, por edhe data e hyrjes në fuqi. Kjo do të mundësonte hyrjen në fuqi me 1 nëntor të vitit 2023, edhe në rast se deri atëherë sistemit i ETIAS-it nuk do të jetë gati.

Një kompromis i tillë, edhe pse e vendos nisjen e zbatimit në vjeshtën e vitit që vjen, megjithatë është më i mirë për Kosovën sepse nuk mbetet peng i ETIAS-it. Ky sistem është teknik edhe mund të mos jetë gati as më 1 nëntor të vitit që vjen, edhe pse për momentin afati i hyrjes në fuqi të këtij ETIAS-it është pikërisht ajo datë.

Mësohet se në takimin e sotëm shumica e vendeve anëtare kanë dashur që liberalizimi i vizave për Kosovën të jetë i pakusht, por është dashur të bëhet një kompromis në mënyrë që të miratohet vendimi sa më shpejt.

Bashkimi Evropian do ta përmendë liberalizimin e vizave për Kosovën si një prej të arriturave më të mëdha gjatë këtij viti. Kjo pritet të përmendet edhe në Samitin e Tiranës me 6 dhjetor, samit i ardhshëm i vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

organet e Këshillit të BE-së pritet që në ditët në vijim të përmbyllet procedura që do të çojë deri te vendimi përfundimtar për liberalizimin e vizave për Kosovën, me synimin që të hyjë në fuqi prej 1 nëntorit të vitit 2023.