Dyshohet se u vra nga kolegu i punës, flet familjari i viktimës në Malishevë: Kanë punuar bashkë qe më shumë se 10 vite
Një person është vrarë mëngjesin e sotëm në Banjë të Malishevës.
Nga Policia e Kosovës kanë thënë për gazetën online Reporteri.net se i njëjti dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri.
Policia bëri të ditur se një person, është dorëzuar në Stacionin Policor në Malishevë dhe nga hetimet e para dyshohet se i njëjti, për motive ende të panjohura, ka qëlluar viktimën me armë zjarri.
I njëjti siç u bë e ditur më pas ka punuar bashkë me viktimën.
Familjarët e të ndjerit kanë dhënë se të dy punonin bashkë qe një kohë të gjatë. Axha i të ndjerit ka shpjeguar para mediave se dorasi dhe viktima nuk kanë pasur probleme mes vete, për të cilat ata ishin në dijeni.
“Nuk e di çka ka ndodhë, kam qenë në punë. Pa se kam, kam shku veç në Malishevë, e kishin marrë e kishin çu në Prishtinë. Ka punu shumë moti me qat dorasin sa e di, moti është me të. Edhe unë atë person e njoh. Keq nuk e di që oshtë me dikë. Kurrë nuk ka thanë që oshtë me dikon keq, se kish kallxu te shpia.Me kanë diçka keq nuk kish dalë në punë.
Ka 10 vjet që kanë punu bashkë, nashta edhe ma shumë. Djalë ma të mirë u kanë zor me gjetë”, ka thënë ndër të tjera ai para mediave.
Viktima ka lënë pas tre fëmijë.
Vrasja ka ndodhur në afërsi të një pompe të derivateve në fshatin Banjë të Malishevës.
Kjo ishte vrasja e nëntë nga 1 gushti në Kosovë. /Reporteri.net/