KryesoreLajme

Të moshuarës i përkeqësohet gjendja duke e marrë pensionin, i riu i ofron ‘ndihmë’ dhe ia merr paratë

Rastet e grabitjeve dhe të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po bie. Ndër rastet e shpeshta të grabitjeve e vjedhjeve nëpër rrugët e vendit janë çantat e krahut, që hajnat kanë cak, për të kapur sado pak para, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe të dielën në mesditë në Mitrovicë të Veriut, por këtë herë një e moshuar është grabitur teksa po merrte paratë e pensionit.

Sinjalizuesi nga Veriu ka bërë me dije për Sinjalin se bëhet fjalë për një 83-vjeçare, të cilës i ka ‘ofruar’ ndihmë një i ri, por fatkeqësisht qëllimi i tij ishte t’ia merrte paratë që ishte duke i tërhequr nga bankomati.

Sipas informacioneve të para, gjithçka ka ndodhur pasi gruas së moshuar iu përkeqësua gjendja shëndetësore dhe i dyshuari u afrua gjoja se t’i ndihmojë, por që doli ndryshe.

I dyshuari i ka marrë 100 eurot që kanë dalë nga ATM dhe më pas është zhdukur, teksa për rastin është vënë në dijeni edhe Policia.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e personit të dyshuar.