Gjatë ceremonisë së varrimit, pas aksidentit në Pejë familja Shala i zgjat dorën e pajtimit familjes Elshani
I është dhënë lamtumira e fundit dy këmbësorëve që mbetën të vdekur në aksidentin e rëndë që ndodhi në fshatin Ozdrim të Pejës ditën e shtunë, teksa një person tjetër mbeti i lënduar rëndë, raporton Gazeta Sinjali.
Dy këmbësorët që u goditën për vdekje janë nga Avdi Shala dhe Fadil Shala, të cilët nuk arritën t’i përballojnë plagët e rënda dhe vdiqën në vendin e ngjarjes, teksa personi i lënduar po vazhdon të trajtohet në QKUK.
Në ceremoninë e varrimit, ku morën pjesë një numër i madh i familjarëve e miqëve, ka marrë pjesë edhe i pari i AAK-së, Ramush Haradina, i cili bëri të ditur se familja e viktimave Shala i ka zgjatur dorën e pajtimit familjes Elshani.
“Dhimbja është e madhe, e rëndë, por ju vërtetë ia keni lënë një nderë vetës si familje, e qofshi të nderuar për jetë e mot, qofshim bashkë për jetë e mot. Kushdo që ndihmuar me u pajtuar familjet, nderi iu rritë”, u dëgjua teksa tha Haradinaj.
Sot në varrimin e Avdi Beqir Shala dhe Fadil Rrustem Shala.Dhe në pajtimin e familjeve Shala dhe Elshani.
Lidhur me këtë rast, është arrestuar shoferi i veturës që dyshohet se i goditi viktimat, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 22-vjeçar, Lendrit Elshani, i cili dyshohet se nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes dhe për pasojë ka goditur këmbësorët.
Ndryshe, rastin e ka konfirmuar mbrëmë për Sinjalin edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Driton Rugova, i cili tha se shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin është shoqëruar në stacion policor.
“Rreth orës 21:30 Policia është informuar për një aksident trafiku në fshatin Ozdrim të Pejës. Në aksident kanë qenë të involvuara një veturë dhe tre këmbësorë, dy prej të cilëve kanë rezultuar me fatalitet. Vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, ndërsa i lënduari është dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës. Personi që dyshohet se ka shkaktuar aksidentin është shoqëruar në stacion policor”, tha Driton Rugova për Sinjalin.
Lidhur me rastin janë deklaruar edhe nga Prokuroria Themelore në Pejë, me ç’rast është bërë e ditur se brenda afatit ligjor do të ndërmerren veprimet e nevojshme.
16 shtatori shënoi një ditë të kobshme për Kosovën, pasi brenda pak orësh kanë ndodhur tri aksidente me fatalitet, një në Podujevë, një në Graçanicë dhe ky rast në Pejë.
E shtunë e kobshme për familjet Mehmeti e Boshnjaku: Këta janë viktimat e aksidentit tragjik në Podujevë
Kujtojmë se në vazhdimësi bëhet thirrje për kujdes në komunikacion, pasi rastet e aksidenteve me fatalitet nuk po kanë të ndalur dhe shkaktarët më së shpeshti janë moszbatimi i rregullave.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.