Njëri nga vëllezërit Bytyqi sërish në sherr me Policinë, voziste i dehur dhe pa patentë: S’ka bir nane që…
Një ndër emrat e njohur për organet e rendit me të kaluar kriminala, si pasojë e rasteve të ndryshme në të cilat ka qenë i përfshirë është Avni Bytyqi, 39-vjeçar, nga Prizreni, i cili ka përfunduar sërish në prangat e Policisë. Ai është arrestuar mbrëmë pas mesnate dhe këtë herë është futur në sherr me Policinë. Bytyqi edhe më parë ka përfunduar në Polici, bashkë me vëllanë e tij, Ilirjanin, që po ashtu njihet për dosjen e tij të pasur me vepra penale, raporton Gazeta Sinjali.
Për çka u arrestua Avni Bytyqi, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor?
Avniu në të djathë dhe Ilirjani në të majtë
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se Bytyqi është kapur në orët e para të së dielës, në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, pasi u ndalua nga një njësit policor, që po patrullonte në atë pjesë. Kontrolli dhe verifikimi i tij nuk shkoi siç duhet, për shkak se Policia hasi në rezistencë, u kërcënua e madje edhe u pengua nga i njëjti.
Siç mëson Sinjali, 39-vjeçari i dyshuar ka qenë nën ndikimin e alkoolit, e madje duke lëvizur edhe pa patentë shofer, me ç’rast ka rrezikuar veten dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik, duke vepruar kundërligjshëm.
Për të mos mbaruar me kaq, pasi është ndaluar, i njëjti nuk i ka përfillur urdhrat policorë, duke refuzuar që t’i nënshtrohet alkotestit, për t’u konfirmuar se i njëjti ishte i dehur, duke vazhduar të rezistojë para zyrtarëve policorë.
Të njëjtat burime thonë se i dyshuari i është drejtuar zyrtarëve policorë me fjalët “Unë edhe me zor di, s’ka bir nanë që ma merr kerrin”, derisa i detyroi që ta fusin nën kontroll, duke e prangosur dhe shoqëruar në stacion policor.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij të iniciohet rasti në drejtim të veprës penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.
Në linqet e mëposhtme gjeni detaje edhe për rastet e tjera, për të cilat ka raportuar Gazeta Sinjali.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.