Lajme

U mori ryshfet mërgimtarëve, Policia jep detaje për arrestimin e zyrtarit

Hetuesit policorë nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit-Pejë, pas një pune intensive hetimore disa ditore, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore-Pejë, kanë arritur të sigurojnë dëshmi se një i dyshuar është përfshirë në veprimtari penale.

I dyshuari, H.I., (viti i lindjes 1964, mashkull kosovar), nëpunës në Qendrën Komunale të Regjistrit Civil – Deçan, gjatë vitit 2022 dhe fillim të vitit 2023, në tri raste përmes institucioneve bankare ka pranuar të holla (rreth 1800 euro). I dyshuari, të hollat i ka pranuar nga viktima e rastit J.J., nga Deçani i cili jeton në Zvicër, me qëllim që të njëjtin ta regjistrojë në sistemin e gjendjes civile në Deçan.

Po ashtu në fund të muajit gusht 2023, në Facebook është publikuar edhe një pretendim se i dyshuari, në mënyrë të njëjtë ka vepruar edhe me qytetarin H.E., i cili jeton në Gjermani.

Mbi bazën e këtyre dëshmive e pretendimeve, është krijuar dyshimi se H. I., dyshohet të ketë kryer veprën penale: ‘marrja e ryshfetit’. Hetuesit policorë janë duke vazhduar me trajtimin e rastit përfshirë identifikimin dhe intervistimin e viktimës së dytë (H.E., nga Gjermania).

Sot, i dyshuari është arrestuar, është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me aktvendim nga prokurori është dërguar në mbajtje deri në 48 orë.