Plas sherri në Prizren: Pronarët e ‘Bledi Reisen’ sulmojnë fizikisht ata të kompanisë ‘Shehu 200’, sebep bartja e nxënësve
Kompanitë e transportit rrugor të pasagjerëve shpeshherë hasin në telashe me njëra-tjetrën. Madje në shumë raste situata eskalon edhe në ofendime, kanosje e përleshje fizike, duke u nevojitur medoemos intervenimi i Policisë, raporton Gazeta Sinjali.
Në një sherr janë përfshirë së fundi dy kompani në fshatin Korishë të Prizrenit.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pronarët e kompanisë ‘Bledi Reisen’, L.Dakaj dhe V.Dakaj, dyshohet se kanë sulmuar fizikisht drejtuesit e kompanisë tjetër ‘Shehu 2000’, A.Shehu dhe M.Shehu.
Sipas informacioneve të para, motivi që çoi në konfliktin mes palëve lidhet me linjat për bartjen e nxënësve të një kolegji privat.
Të dyshuarit Dakaj, kanë rrahur pronarët e ‘Shehu 2000’, duke u shkaktuar atyre lëndime trupore, për çka edhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
Ndërkohë Policia ka intervenuar në rast dhe ka arrestuar dy të dyshuarit, të cilët kanë dhënë dëshmitë e tyre para organeve të hetuesisë, të cilët kanë pranuar se kanë kryer veprën për të cilën dyshohen.
Në cilësinë e viktimave, janë intervistuar edhe pronarët e ‘Shehu 2000’.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’