Lajme

E rëndë: Vajza në Prishtinë e sulmon me çekan babanë e saj, ai kërkon ndihmë nga Policia

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i rëndë ka ndodhur dje në një familje në Hajvali të Prishtinë, ku një vajzë 22-vjeçare po dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të saj.

Sinjali mëson se viktima e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se e bija e ka sulmuar fizikisht, duke e goditur me një çekan, pas një mosmarrëveshje që kanë pasur mes vete.

Si pasojë e dhunës, viktima ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar tretman mjekësor në spital, ndërkohë që e dyshuara është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj saj është iniciuar rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.