Lajme

U dënua me burgim por e shijoi lirinë nga arratia, ky është i arrestuari në Gjilan për aksidentin me fatalitet

Pas rreth një viti prej kur ishte dënuar për aksidentin me fatalitet, 28-vjeçari nga Gjilani tek dje është dërguar në njërën nga qendrat e paraburgimit, për ta vuajtur dënimin me burgim. I riu kishte arritur ta shijojë lirinë nga arratia derisa u kap nga Policia gjatë zbatimit të një plani për arrestimin e personave të kërkuar, raporton Gazeta Sinjali.

Siç mëson Sinjali bëhet fjalë për Rexhep Maksutin, i cili po kërkohej në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Gjilan, pasi ishte dënuar me 2 vjet burgim efektiv për veprën penale “Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur”.

Maksuti u shpall fajtor nën akuzën për aksidentin që ndodhi në qershor të vitit të kaluar, kur në gjendje të dehur, teksa ishte në lëvizje me veturën e tij, ka goditur këmbësorin Mehmet Vranovci, tashmë i ndjerë.

I moshuari nuk arriti t’iu mbijetojë plagëve dhe vdiq, ndërsa ndaj Maksutit u shpall aktgjykimi në nëntor të 2022

Në dënimin e shqiptuar me burgim, atij i ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 07.06.2022 e deri më 15.11.2022.

Përveç dënimit me burgim, 28-vjeçarit i ishte ndaluar drejtimi i automjetit motorik rrugor në kohëzgjatje prej 3 vite.

“Më datë 07.06.2022, rreth orës 11:22 minuta, në Gjilan, në rrugën “Idriz Seferi”, i pandehuri ka rrezikuar trafikun publik duke vënë në rrezik jetën e njerëzve dhe pasurinë e tyre, në atë mënyrë që duke drejtuar automjetin e markës “Ford Fokus” me targa 06-662-BH, në gjendje të paaftë të dehur, me sasi të alkoolit, 0.54%, duke mos e respektuar sinjalizimin horizontal-vertikal, vendkalimin për këmbësor, e po ashtu duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, fushëpamjen e rrugës dhe aftësive personale, para çdo pengese që mund të paraqitet në rrugë e mund të reagojë me kohë, në kundërshtim me nenin 53 par 1, neni 149 dhe neni 233 par. 2 të Ligjit nr. 05/1-088 për Rregullat ne Komunikacion Rrugor, i njëjti derisa ka qenë në lëvizje me automjetin e lartshënuar me të arritur të barnatorja “Riga” në korsinë e majtë, me pjesën e përparme të djathtë të xhamit të përparme, e godet këmbësorin M. V., i cili ishte duke kaluar rrugën në vendkalimin për këmbësor nga ana e djathtë në të majtë, me ç ‘rast si pasojë e këtyre veprimeve viktima përplaset në rrugë, duke marr lëndime të rënda, për çka edhe ndërron jetë në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan, në Qendrën Emergjente. “, thuhet në aktgjykimin e siguruar nga Gazeta Sinjali.