Veriu i ndaluar për FSK’në, çfarë sinjale çoi presidentja duke takuar Komandantin dhe Ministrin
Vjosa Osmani është Komandantja Supreme e FSK-së, por ajo nuk mund ta dërgojë ushtrinë në veri të vendit, pavarësisht rrethanave dhe situatës atje. Këtë e ndalon ta bëjë një marrëveshje ende e vlefshme mes Kosovës dhe KFOR-it, të cilën ajo e kishte konsideruar anti-kushtetuese.
“Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, lidhur me zhvillimet e fundit në vend si dhe sfidat e sigurisë. Presidentja Osmani dhe ministri Mehaj diskutuan për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë në mes të
institucioneve të sigurisë për të garantuar mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e
vendit”, u tha në njoftimin e Presidencës.
Me komandantin e FSK-së, Osmani foli edhe për ngritjen e kapaciteteve të ushtrisë.
“Presidentja Vjosa Osmani takoi sot komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jasharin. Presidentja Osmani dhe gjenerallejtënant Jashari diskutuan mbi situatën e sigurisë në vend. Në takim u diskutua edhe për ngritjen e kapaciteteve, trajnimet dhe përgatitjet e FSK-së për ta realizuar misionin e saj”, ka njoftuar Presidenca.
Ministri i Mbrojtjes dhe komandanti i FSK-së nuk e thanë asnjë fjalë për takimet. Gazeta Express, deri në publikimin e këtij teksti nuk mori përgjigje nga Ministria dhe FSK-ja në lidhje me këto zhvillime.
Marrëveshja e Kosovës me NATO-n kishte përfunduar në prokurori
Kosova dhe NATO në vitin 2013 ishin pajtuar që FSK-ja nuk do të vendosej në veri të vendit pa pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it. Kjo marrëveshje është ende e vlefshme.
“Kjo vlen akoma dhe pasqyron gjithashtu ndjeshmëritë dhe sfidat. Mendoj se është mënyra më e mirë për të vazhduar gjetjen e balancës së duhur dhe shmangien e çdo situate që mund t’i minojë dhe dobësojë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike, dhe të çdo gjëje, që mund të minojë dialogun Prishtinë-Beograd”, kishte thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë një vizite në Kosovë verën e vitit të kaluar.
Këtë, Stoltenberg pati thënë se e kishte diskutuar edhe me kryeministrin Albin Kurti.
Disa javë para se Stoltenberg të mbërrinte në Kosovë, Kurti e kishte dërguar në prokurori këtë marrëveshje – të nënshkruar nga presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe shefi i atëhershëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.
Kurti besonte se Thaçi e kishte shkelur Kushtetutën, ndërsa në një konferencë të jashtëzakonshme në vitin 2020 e pati publikuar letër-këmbimin e vitit 2013, ku ish-presidenti e kishte siguruar Rasmussenin se FSK-ja “do të ndërmerrte mision në veri të Kosovës vetëm me pajtimin paraprak të KFOR-it”, misionit paqeruajtës të NATO-s. Thaçi publikisht s’e kishte pranuar këtë.
“Kur nënshkruani një marrëveshje, ajo vazhdon edhe kur keni persona të rinj në pozita përgjegjëse”. Ky kishte qenë komenti i Stoltenberg për vendimin e Kurtit për ta dërguar marrëveshjen në prokurori.
Për këtë marrëveshje, Kurtin e kishte njoftuar Osmani, atëherë si kryetare e Kuvendit.
“Kërkesat që secili institucion në Kosovë të respektojë Kushtetutën dhe procedurat kushtetuese nuk do të duhej të keqinterpretoheshin si sulm apo kontestim ndaj NATO-s, por përkundrazi, si avansim të demokracisë e transparencës dhe respektimit të ligjit e kushtetutës në vend”, kishte shkruar Osmani në llogarinë e saj në Facebook.
Mehaj: Po koordinohemi me KFOR-in
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj tha të hënën se FSK-ja ofron siguri për të gjithë dhe se institucionet e Kosovës po koordinohen me KFOR-in.
Përmes një reagimi në Twitter, ai dënoi veprimet e Serbisë për destabilizimin e Kosovës.
“FSK-ja është për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Dënojmë veprimet e Serbisë për destabilizimin e vendit tonë! Kosova dhe institucionet e saj janë në shërbim të çdo qytetari dhe veprimet tona janë në koordinim me policinë tonë dhe KFOR-in”, ka shkruar Mehaj.
Ky u duk si reagim ndaj disa raportimeve në mediat serbe, të cilat shkruanin se Perëndimi e ka paralajmëruar Kosovën të mos dërgojë pjesëtarë të forcave të sigurisë në veri për t’i zëvendësuar policët serbë që dhanë dorëheqje, pasi kjo do të nxiste “konflikt serioz”./GazetaExpress