Lajme

Lajm i hidhur: Vdiq profesori i njohur i Universitetit të Prishtinës

Ka vdekur në moshën 70-vjeçare, profesori shumëvjeçar i Mjekësisë sociale në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, Ilir Begolli.

Begolli ka vdekur të shtunën mbrëma. Ai ka qenë edhe specialist i shëndetësisë publike në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

IKSHPK-ja ka njoftuar për vdekjen e Begollit, ndërsa ka bërë të ditur se të hënën do të mbahet ceremoni komemorative.

“Gjatë karrierës së tij të pasur akademike dhe profesionale, përveç angazhimit në procesin edukativ dhe arsimor, dr. Ilir Begolli ishte hartues dhe pjesëmarrës i drejtpërdrejt në krijimin e dokumenteve dhe strategjive zhvillimore të sistemit shëndetësor në Kosovë; duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm përmes angazhmit të tij profesional si mësimdhënës dhe si ekspert në lëminë e shëndetësisë publike, për çka do të jetë i vlerësuar gjithmonë nga niveli akademik, kolegët, studentët, qytetarët dhe gjeneratat e ardhshme në Kosovë. Me rastin e ndarjes nga jeta të profesor Begollit, të hënën më 14 gusht, në ora 10:00, në IKSHPK, do të mbahet mbledhje komemorative për të nderuar veprën dhe jetën e tij”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.