Lajme

Sherr në komunikacion, 23-vjeçari sulmon një person – dyshohet se përdori edhe skallper

Shkeljet që bëhen në komunikacion jo rrallëherë përcillen edhe me konflikte verbale mes pjesëmarrësve në trafik, madje ka raste kur eskalojnë. Në të shumtën e rasteve, sherri plas si pasojë e aksidenteve që shkaktohen dhe mosmarrëveshjeve në mes të shoferëve.

Një rast i tillë ka ndodhur sot pasdite në fshatin Prelez të Ferizajt, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht një 48-vjeçar.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur pas një konflikti në komunikacion, ku 23-vjeçari dyshohet se ka sulmuar viktimën duke i shkaktuar lëndime trupore.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë arrestuar të dyshuarin, ndërsa viktima është dërguar në spital për tretman mjekësor.

Sipas burimeve, të dyshuarit i është gjetur edhe një mjet i mprehtë [skallper], të cilin dyshohet se e ka përdorur në rast.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.