Lajme

Mjekja këput kokën e foshnjës duke përdorur “forcë të tepruar” gjatë lindjes

Një mjeke ia këputi kokën foshnjës së një gruaje gjatë lindjes së vështirë në Gjeorgji, thuhet në një padi.

Tracey St Julian është paditur për neglizhencë të madhe nga Jessica Ross dhe Treveon Taylor, djali i të cilëve vdiq në spital gjatë një lindjeje të ndërlikuar.

Disa infermierë po ashtu po paditen për fshehje të ngjarjes.

Një avokat ka thënë se Julian kishte përdorur shumë forcë me foshnjën gjatë lindjes, raportoi BBC.

“Kur barku u hap, dolën këmbët, trupi doli, dhe nuk kishte kokë”, tha avokati Roderick Edmond. Ai pretendoi se Julian kishte përdorur “forcë të tepruar” ndaj foshnjës.

“Mjekja Julian u fut brenda dhe në procesin e lindjes së foshnjës, e tërhoqi kokën dhe qafën e foshnjës aq shumë dhe manipuloi me to aq fort sa kockat e kafkës, fytyrës dhe qafës së foshnjës u thyen”.

Sipas padisë, mjekja u përpoq ta nxirrte foshnjën me lindje normale duke përdorur metoda të ndryshme, përfshirë “tërheqjen e kokës së foshnjës”.

Foshnja nuk mundi të lindte në mënyrë normale. Julian nuk vazhdoi me prerje cezariane në kohën e duhur, siç kishte kërkuar çifti paraprakisht, thuhet në padi.