Lajme

Mitrovicasi e rrah dhe e kërcënon gruan një muaj pasi u martuan, ia përmend martesën e kaluar

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë raportohen dhjetëra të tilla, ku zakonisht viktima janë gratë të cilat dhunohen në forma të ndryshme nga partnerët e tyre. Një rast i tillë ka ndodhur dje në Mitrovicë, ku një burrë ka përfunduar në Polici si i dyshuar për dhunë ndaj bashkëshortes së tij, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur në fshatin Kçiq, ku një burrë po dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, pasi ajo e njoftoi familjen e saj për mosmarrëveshjet me të.

Sinjali mëson se çifti janë të martuar që një muaj dhe gjithçka nisi me kërcënimet e burrit ndaj gruas së tij, duke ia përmendur martesën e kaluar të saj.

Pasi viktima vendosi që t’i tregojë prindërve të saj për konfliktet që kanë filluar mes saj dhe bashkëshortit, ata janë takuar në shtëpinë e tyre, ku i dyshuari edhe e sulmoi fizikisht viktimën.

Rasti është denoncuar menjëherë në Polici dhe si rezultat, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Dhunë në familje’.