Lajme

Dhunimi i 52-vjeçares, këta janë dy burrat që përfunduan në ndalim policor

Një ngjarje e rëndë dyshohet të ketë ndodhur në fshatin Kashicë në komunën e Istogut, ku dy persona janë arrestuar nën dyshimet për dhunimin e një gruaje 52-vjeçare. Të dyshuarit tashmë kanë përfunduar në ndalim policor, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se të dyshuarit janë Mazllum Brahimaj 53-vjeçar dhe Abedin Brahimaj 55-vjeçar.

I gjithë rasti u zbulua mesnatën e së enjtes, ku njësitë policore kishin intervenuar në një përleshje, e që më pas kishin hasur në viktimën e cila ishte në gjendje jo të mirë dhe djalin e saj.

Viktima dhe i biri janë shoqëruar në stacion policor, por për shkak të gjendjes së rëndë në të cilën ajo ndodhej, ka qenë i pamundur intervistimi i saj dhe e njëjta është dërguar në strehimore për shkaqe sigurie.

Mazllum dhe Abedin Brahimaj janë arrestuar dhe kanë dhënë deklaratat e tyre në cilësinë e të dyshuarve për dhunimin e 52-vjeçares.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit të dërgohen në mbajtje dhe të hetohen nën dyshimet për veprën penale ‘Dhunim’.