E rëndë në Obiliq: 65-vjeçari gjendet i varur në shtëpinë e tij, e paralajmëroi gruan se do t’i jap fund jetës
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të së mërkurës në familjen Sallova në Mazgit të Obiliqit, ku vdiq tragjikisht një 65-vjeçar, i cili dyshohet se ka bërë vetëvrasje. Kjo ngjarje ka tronditur jashtëzakonisht shumë familjen e të ndjerit, teksa kanë nisur hetimet për ta zbuluar motivin që e shtyu t’i jap fund jetës, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Ruzhdi Sallovën, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar ekipi mjekësor që ka dalë në vendin e ngjarjes, ku pas ekzaminimeve për shenjat vitale, është konstatuar se i njëjti ishte pa shenja jete.
Për motive akoma të panjohura, i ndjeri i ka dhënë fund jetës duke u varur në oborrin e shtëpisë së tij, ku u gjet pa shenja jete.
Sipas informacioneve të para, i ndjeri e kishte paralajmëruar bashkëshorten e tij për vendimin që kishte marrë, por përkundër që familjarët tentuan ta shpëtonin, fatkeqësisht ishte vonë.
Në vendin e ngjarjes janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme nga ana e njësive policore, teksa trupi i pajetë është tërhequr për t’u dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Siç mëson Sinjali, lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve dhe zbardhjen e rrethanave në të cilat ka humbur jetën viktima.