Lajme

Aeroporti i Prishtinës fton qytetarët t’i marrin valixhet që i kanë humbur

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” – Limak Kosovo, i ka ftuar qytetarët të cilët kanë udhëtuar përmes këtij aeroporti dhe i kanë humbur gjësendet e tyre, t’i tërheqin ato deri më 17 nëntor 2022.

Sipas njoftimit të Aeroportit, të gjithë qytetarët të cilët kanë udhëtuar përmes këtij aeroporti dhe i kanë humbur valixhet e tyre apo gjëra të tjera dhe akoma kanë raportin nga zyra e ‘Lost and Found’ apo dokumente tjera që dëshmojnë një gjë të tillë, të lajmërohen në aeroport deri më datë 17 Nëntor 2022 për të vazhduar procedurat e identifikimit dhe tërheqjes së tyre.

“Valixhet të cilat kanë mbetur në aeroport më shumë se 6 muaj dhe nëse pronarët e tyre nuk lajmërohen deri në datë 17 Nëntor 2022, atëherë këto valixhe do të jepen donacion Shoqatave Humanitare që ushtrojnë veprimtaritë e tyre në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit, për çdo të dhënë shtesë qytetarët duhet të kontaktojnë zyrën e ‘Lost and Found’ në aeroport në numër të telefonit +383 38 501 502 1270/1271 apo përmes e-mailit në: lost.found@limakkosovo.aero.