Burri e grushton bashkëshorten pas një mosmarrëveshje, 48-vjeçarja dërgohet në QKUK
Rastet e dhunës në familjet kosovare po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që çdo ditë e më shumë gratë janë ato që po përjetojnë dhunë fizike e psikike nga bashkëshortët e tyre. Një rast i tillë ka ndodhur edhe së fundmi në Vushtrri, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike e psikike ndaj gruas, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se gruaja e ka denoncuar dje bashkëshortin e saj për dhunën që ia ka shkaktuar të shtunën mbrëma, në shtëpinë e tyre në fshatin Lum i Madh.
Rasti dyshohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshje momentale, që eskaloi në dhunë, ashtu që i dyshuari e grushtoi gruan, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Viktima është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku edhe po vazhdon trajtimin mjekësor.
Posa rasti është denoncuar në Polici, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij për rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të ndalohet i dyshuari dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.