Ky është i dyshuari që e theri për vdekje 17-vjeçarin në Viti
Një rast tragjik ka ndodhur të enjten në mbrëmje në familjen Xhymshiti në Viti. Djali i tyre i mitur u ther me thikë për vdekje nga një bashkëmoshatar, në rrethana dhe për motive akoma të panjohura. Gazeta Sinjali raportoi se hetimet tashmë kanë nisur, ndërkohë që rastin e kanë konfirmuar edhe nga Policia.
Kjo ngjarje ka tronditur familjen e të ndjerit nga fshati Lubishtë i Vitisë, kur e morën lajmin për vdekjen e B.Xhymshitit (emër i njohur për redaksinë), i cili fatkeqësisht nuk arriti t’iu bëjë ballë plagëve që mori.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se i dyshuari që u arrestua lidhur me këtë rast është A.Haxhiu, 16-vjeçar nga fshati Kabash i Vitisë.
I dyshuari u arrestua në vendin e ngjarjes dhe më pas është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë.
Ndryshe, viktima fillimisht ishte dërguar për trajtim mjekësor në Viti, e më pas është transferuar në Gjilan, por përkundër intervenimeve, ndërroi jetë.
Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor që e mori për trajtim e më pas trupi i pajetë është tërhequr për t’u dërguar në IML për obduksion.
Hetimet tashmë kanë nisur me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.