Konflikt familjar: Vjehrra me djalin e bëjnë llom nusen, ajo i çon në Polici
Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur në një shtëpi në fshatin Vrajak të Rahovecit, ku një burrë bashkë me nënën dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.
Sinjali mëson se rastin e ka denoncuar gruaja gjatë ditës së sotme, e cila ka dhënë detaje për dhunën që ka përjetuar nga burri dhe vjehrra e saj, që e rrahën si pasojë e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme që kanë pasur.
Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur të kërkojë ndihmë nga Policia duke e raportuar rastin.
Denoncimi i viktimës ka aktivizuar Policinë, me ç’rast kanë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor të dyshuarit.
Pas përfundimit të procedurave policore, ndaj tyre është iniciuar rasti për veprën penale “Dhunë në familje”.