“Kam me iu vra”/ Eskalon 36-vjeçari në Kaçanik, e djeg xhipin e tij pasi e dërgoi te automekaniku
Një rast jo fort i zakontë ka ndodhur së fundmi në fshatin Dubravë të Kaçanikut, ku një person është arrestuar nën dyshimet për kanosje. I riu që ra në prangat e Policisë po dyshohet se shkaktoi sherr në një autoservis dhe më pas e kërcënoi seriozisht punëtorin, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se konflikti nisi pasi i dyshuari 36-vjeçari shkoi te autoservisi ku e kishte dërguar automjetin e tij për t’ia rregulluar disa pjesë.
Por siç duket ai u nda i pakënaqur me riparimin dhe vendosi që fillimisht t’i shkaktojë dëm xhipit të tij, duke ia vënë flakën. Për të mos mbaruar me kaq, i dyshuari edhe e ka kërcënuar me vrasje punëtorin e autoservisit.
Përballë kësaj situate, është denoncuar menjëherë incidenti, me ç’rast kanë intervenuar njësitë e Zjarrfikësve për ta shuar zjarrin.
Ndërsa i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, duke tentuar që t’iu shpëtojë prangave të Policisë.
Pas përfundimit të ekzaminimeve në vendin e ngjarjes, automjeti është konfiskuar, kurse rasti është iniciuar si “Kanosje”.