Ia pa sherrin 30 eurove/ Dënohet me 1 vit burgim efektiv dhe 1 mijë euro gjobë për ryshfet ish punëtori i Gjykatës
Mori ryshfet 30 euro e 50 centë/ Dënohet me 1 vit burgim efektiv dhe 1 mijë euro gjobë ish-referenti i Gjykatës
IndeksOnline
E Mërkurë, 05 Korrik 2023 10:50
Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Zenel Hoxha, duke e dënuar me 1 vit burgim efektiv dhe 1 mijë euro gjobë, lidhur me akuzën për marrje ryshfeti. Po ashtu, ndaj tij është shqiptuar edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike në kohëzgjatje prej një viti pas vuajtjes së dënimit me burgim.
Hoxha akuzohej se në cilësinë e personit zyrtar- referentit të lartë në Gjykatën Themelore në Pejë, ka pranuar nga palët shumën prej 30 euro dhe një monedhë metalike në emër të shërbimit të kryer zyrtar.
Aktgjykimi u shpall të mërkurën, nga kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit, në dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak nga 24 nëntor 2022 deri më 24 janar 2023.
Hoxha, sipas aktgjykimi është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 100 euro dhe në emër të fondit të viktimave shumën prej 50 euro.
Kundër këtij aktgjykimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afatin prej 30 ditësh.
Sipas aktakuzës së 22 dhjetorit 2022, e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, Zenel Hoxha, në cilësinë e personit zyrtar- referentit të lartë për regjistrim të lëndëve jokontestimore, trashëgimore dhe vërtetimin e certifikatave, me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë pranon përfitim financiar për vete në mënyrë që të veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.
Aktakuza thotë se më 15 gusht 2022, në zyrën nr.5 të Gjykatës Themelore në Pejë, pasi palës Din Shala ia rregullon dokumentacionin zyrtar lidhur me njohjen e një vendimi të huaj për prishjen e martesës, me insistimin e të njëjtit pranon 30 (tridhjetë) euro në emër të shërbimit të kryer zyrtar.
Po ashtu, në aktakuzë thuhet se më 19 gusht 2022, vepron njëjtë edhe ndaj palës së panjohur duke pranuar një monedhë të metalit.
Për këto veprimet, Hoxha ngarkohej se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, par.1 të Kodit Penal.
Ndryshe, për veprën penale të dhënies së ryshfetit, sipas kësaj aktakuze është ngarkuar edhe Din Shala, mirëpo i njëjti pas pranimit të fajësisë është dënuar me një dënim prej 1 mijë euro gjobë dhe 6 muaj burgim me kusht, në afat verifikimi prej një viti. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në ketë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.