Djali i familjes Kaçinari në kërkim për sulmin ndaj shtetasit të Shqipërisë, rasti i rëndë ndodhi në parkingun e hotelit të tyre
Dita e djeshme doli të jetë me pasoja të rënda për shtetasin e Shqipërisë, K.M., i cili u përball me një sulm fizik nga tre persona në qytetin e Prizrenit. Në sherrin për parking u përfshi edhe djali i familjes Kaçinari, Hili, të cilët kanë në pronësi hotelin ‘Kaçinari’ në qendër të qytetit. Viktima u dërgua me urgjencë në spital, ndërsa të dyshuarit arritën që të largoheshin në drejtim të panjohur, raporton Gazeta Sinjali.
Njësitë policore kanë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe zbulojnë vendndodhjen e Hil Kaçinarit dhe dy të dyshuarve tjerë, të cilët ende nuk janë identifikuar.
Kaçinari nuk është emër i panjohur për organet e rendit, pasi që ka qenë edhe më para në pranga për vepra të ndryshme penale.
E ngjarja e djeshme dyshohet të ketë ndodhur për shkak se 25-vjeçari kishte parkuar veturën e tij në pronën e të dyshuarit, pa e ditur se e kujt është hapësira.
Kaçinari dyshohet se në përleshje e sipër ka goditur të riun me gur në kokë, duke i shkaktuar lëndime të rënda.
Sinjali ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës në Prizren, për të marrë informacione nëse i dyshuari është kapur, por i njëjti nuk është hasur ende.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Lëndim i rëndë trupor’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.