Lajme

Sherri nisi për 400 euro borxh/ Këta janë babë e bir të dyshuar për vrasjen në tentativë në Zllata

Mbrëmjen e shkuar ka ndodhur një ngjarje e rëndë në restorantin ‘Villa Piknik’ në Zllatar të Prishtinës, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka mbetur i plagosur një person, ndërsa një tjetër ka marrë lëndime të rënda nga goditjet me mjete të forta, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se të dyshuar për rastin janë 46-vjeçari, Blerim Fazilja dhe djali i tij, Endriti 20-vjeçar, i cili vetë e pësoi nga shkrepja e armës.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se 20-vjeçari është dërguar atje me plagë në këmbë, të cilat i ishin shkaktuar nga arma e zjarrit. Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja shëndetësore e të riut është stabilizuar dhe ai është jashtë rrezikut për jetë.

Në anën tjetër, ndihmë mjekësore ka kërkuar edhe viktima, A.Th., 28-vjeçar, i cili kishte pësuar lëndime në kokë e në pjesë të ndryshme të trupit. Ai dyshohet se gjatë përleshjet me Blerimin dhe Endritin, është goditur me mjete të forta, ndër to edhe me kondak të armës.

Njësitë policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur vetëm dëshmitarët e rastit, të cilët kanë pohuar se personat e përfshirë fillimisht janë rrahur në parkingun e restorantit dhe më pas janë dëgjuar të shtënat e armës. Atje janë gjetur edhe dy gëzhojat e armës që dyshohet se u përdor, teksa më pas kanë shkuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për të kryer ekzaminimet e tjera të nevojshme.

Gjatë kontrollit të veturës së të dyshuarit, Blerim Fazlija, është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri dhe dy fishekë.

Në kuadër të veprimeve hetimore është marrë dëshmia e viktimës, i cili ka pohuar se është sulmuar fizikisht nga Blerimi dhe djemtë e tij për shkak të një borxhi prej 400 eurosh. Bazuar në dëshminë e tij, ata kanë shtënë me armë dhe si pasojë e kësaj ka mbetur i plagosur 20-vjeçari, Endrit Fazlija.

Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe janë intervistuar lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit të dërgohen në mbajtje dhe ndaj tyre është iniciuar rasti ‘Vrasje në tentativë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.