“Duke u munduar ta ndalin rrymën” – Kryetari i Pejës jep detaje si humbën jetën nënë e bir pas vërshimeve
Nata e mbrëmshme ishte e kobshme për nënë e bir nga komuna e Pejës. Pas reshjeve të mëdha të shiut, ata u morën nga rrjedha e ujit dhe nuk arritën të shpëtonin.
Kjo ngjarje ka ndodhur në rrugën “Asllan Qeshme” në komunën e Pejës.
Kryetari i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri në një prononcim për Nacionalen ka bërë të ditur se në shtëpinë e viktimave, kishte hyrë uji nga dy anët.
Ata janë marrë nga rrjedha e ujit teksa po provonin ta ndalnin rrymën.
“Kanë qenë në shtëpi, ka hi uji prej dy drejtimeve në tona anët, janë mundu me ndalë rrymën edhe ka ndodhur tragjedia. Në shtëpi kanë qenë edhe dy fëmijë të tjerë dhe një person i moshuar. Ata kanë shpëtu”, ka thënë Muhaxheri për Nacionalen.
Muhaxheri ka bërë të ditur se sot situata është më e qetë. Kryetari i Pejës deklaroi se janë në pritje t’i largojnë veturat e dëmtuara në rrugën “Asllan Qeshme”, dhe për ta bërë më pas pastrimin.
“Është më e qetë gjendja, pas humbje së dy jetëve dhe rastit tragjik, gjendja është e qetë. Me Polici (procesverbale) po duhet me i largu këto kerret, edhe me fillu pastrimin e rrugës. Ekipet janë tu pastru në pjesët e tjera, mirëpo në këtë lagjen ku ka ndodhur rastit ragjik janë shumë kerre kanë përfunduar në kanal, tash po presim”, tha kryetari i Pejës për Nacionalen.
Muhaxheri deklaroi se kanë pranuar kërkesa për ndihmë nga Tirana e Prishtina, por që për momentin nuk është e nevojshme. Sipas tij, situata më e rëndë ka qenë mbrëmë.
“Tash nuk ka nevojë, prej Tirane e Prishtine prej të gjithëve kemi pas thirrje. Tash veç duhet me pastru, nëse kemi me pasur nevojë për pompa që me largu ujin nga bodrumet, por për ato më vonë sepse duhet bërë pastrimi së pari”, deklaroi kryetari Muhaxheri.
Peja u trondit mbrëmë nga një rast tragjik ku humbën jetën nënë e bir. Kjo pas reshjeve të mëdha të shiut, që shkaktuane dhe vërshime në disa lagje.
May be an image of text
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, tha se janë në gjendje gatishmërie për të shkuar në Pejë që të ndihmojnë pas gjendje së rënduar.
“Njësitë tona të kërkim-shpëtimit tashmë janë nisur për në qytetin e Pejës, do të jenë aty ku ka nevojë për t’iu dalur në ndihmë në këtë gjendje të rëndë. Me të gjitha kapacitetet tona jemi në dispozicion për të tejkaluar këtë situatë”, ka shkruar Mehaj.
Në kontakt me të gjitha institucionet ka qenë edhe ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
“I shqetësuar dhe tronditur me situatën e vërshimeve në Pejë, ku si pasojë e tyre humbën jetën dy qytetarë tanë, një fëmijë dhe nëna e tij. Që nga fillimi i reshjeve mbrëmë jam në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me Kryetarin Muhaxheri, Ministrin Sveçla dhe Ministrin Mehaj, që ti dalim në ndihmë qytetarëve dhe Komunës në këtë situatë të vështirë”, ka shkruar Krasniqi.
May be an image of text
Për këtë situatë, ka shkruar në rrjete sociale edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“I tronditur pas vërshimeve në Pejë, apeloj që qeveria, komuna dhe të gjitha institucionet përgjegjëse, të veprojnë me vendosmëri e seriozitet. Bashkëndjej me familjen Ademaj që humbi familjarët. Bashkëndjej me të gjithë qytetarët që u dëmtuan nga vërshimet”, ka shkruar Haradinaj.
Moti parashihet të jetë jostabil edhe gjatë ditëve në vazhdim, megjithatë nuk është paralajmëruar për reshje të dendura shiu këtyre ditëve.