Lajme

Ky është i paraburgosuri që u vetëvra në Prishtinë, dyshohej për sulm seksual ndaj gruas së nipit

Të shtunën në mbrëmje, një i paraburgosur në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë u dërgua pa shenja jete në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe sipas informacioneve të para dyshohet për vetëvrasje. Vdekjen e të ndjerit e konstatoi ekipi mjekësor, ndërkohë që Policia tashmë ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Emin Halilin, 48-vjeçar, i cili po qëndronte në paraburgim, nën dyshimet se kishte kryer veprën penale “Sulm seksual”.

Gazeta Sinjali ka raportuar për këtë rast, që dyshohej se kishte ndodhur në Podujevë, ku i ndjeri ishte denoncuar nga gruaja e nipit se e kishte sulmuar seksualisht në vazhdimësi, në shtëpinë e saj.

Ndaj tij, ishte bërë kërkesa për masën e sigurisë, që u aprovua nga Gjykata dhe viktima ishte dërguar në paraburgim, aty ku dyshohet se i dha fund jetës.

Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve, njoftojnë opinionin publik se sot ne QKUK eshte konstatuar vdekja e të burgosurit EH, i cili nga QP në Prishtine është sjell nga stafi korrektues dhe ai shendetesor duke e reanimuar tërë kohën. Lidhur me rastin janë njoftuar Policia e Kosovës dhe prokurori, ndërsa SHKK ka filluar të bëjë hetimet procedurale dhe administrative, gjithashtu është themeluar Komisioni Hetimor Administrativ nga SHKK, i cili do të dal me Raport Administrativ Përfundimtar”, thuhet në njoftim.