Ky është hajni 65-vjeçar i arrestuar në Podujevë, pjesë e grupit kriminal që dyshohet për 35 raste të vjedhjeve
Siguria publike në Kosovë po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet. Ky fenomen mjaft shqetësues, po shkakton pasiguri e humbje të mëdha. Hajnat, herë të vetëm e herë në grup arrijnë të bëjnë kërdi në biznese, shtëpi, zyra e lokale të ndryshme gjithandej vendit. Organet e rendit shpeshherë janë dorëlirë ndaj tyre, duke i ‘motivuar’ që ta përsërisin këtë vepër, raporton Gazeta Sinjali.
Një ndër hajnat që është emër i njohur për Policinë është një 65-vjeçar, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor, nën dyshimin për dy vjedhje që kanë ndodhur në Podujevë. I dyshuari po shijonte lirinë nga arratia që nga 3 qershori, deri më dje kur u dorëzua në Polici.
Ai dyshohet se në bashkëkryerje me dy persona tjerë ende të paidentifikuar, ka vjedhur kuletat e dy personave të moshuar, të cilët në to kishin dokumente personale e para të gatshme.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Faik Jahirin, i cili ka qenë pjesë e grupit kriminal, që ishte arrestuar në maj të vitit 2022, ku bashkë me tre persona të tjerë janë përfshirë në më shumë se 35 raste të vjedhjeve në Kosovë e në shtetet fqinje.
Jahiri bashkë me Rexhep Gashin (52 vjeç), Milazim Nezirin, (62 vjeç) dhe Arsim Maxhunin (48 vjeç), u arrestuan më 20 maj të vitit të kaluar, pasi Policia njoftoi se kishte mbledhur prova të mjaftueshme që dëshmojnë se të dyshuarit janë të përfshirë në numër të madh të veprave penale.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.