Lajme

Njëri nga policët e rrëmbyer me probleme shëndetësore, Gërvalla: Serbët i dhanë injeksion që s’dihet me çfarë efekti

Ditën e 14-të të këtij muaji, tre zyrtarë të Policisë së Kosovës u rrëmbyen teksa ishin duke ngrënë bukë gjatë orarit të punës në veri të vendit nga forcat serbe, ngjarje kjo për të cilën kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se kanë edhe fakte, raporton Gazeta Sinjali.

Në një konferencë të jashtëzakonshme të kryeministrit Kurti dhe ministres Gërvalla pas vizitës që i është bërë policëve në fjalë në qendrën e paraburgimit në Kralevë, dhanë disa detaje për gjendjen shëndetësore të tyre.

Gërvalla në fjalën e saj tregoi se policët e rrëmbyer, që tashmë gjenden në paraburgim, kanë theksuar se nuk janë maltretuar fizikisht por që s’iu është dhënë ushqim i mjaftueshëm, duke shtuar se janë ushqyer vetëm me një copë bukë.

E për njërin nga tre policët e rrëmbyer, ky arrestim del të jetë goxha i vështirë. Sipas, ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla polici Sheh Mustafa ka probleme shëndetësore me organet e frymëmarrjes, raporton Sinjali.

Në njoftimin e saj ajo bëri të ditur se të njëjtit i është dhënë një injeksion, për të cilin nuk dihet efekti që ka. Gjithashtu, i është ofruar edhe një pompë për frymëmarrje.

“Kanë theksuar se gjatë kësaj periudhe 48-orëshe nuk janë maltretuar fizikisht por s’iu është dhënë ushqim i mjaftueshëm – vetëm nga një copë bukë dhe jo më shumë, ndërsa Sheh Mustafa, i cili ka probleme shëndetësore me organet e frymëmarrjes i është vetëm një injeksion – nuk dihet me çfarë efekti dhe një pompë për frymëmarrje”, tha Gërvalla gjatë konferencës.

Ministrja gjithashtu tregoi se Mustafës po i mungojnë medikamentet bazike të cilat i përdor rregullisht për gjendjen e tij shëndetësore, gjë e cila po ia vështirëson qëndrimin në burg.

Ajo shtoi se së bashku me familjen e Mustafës do të përpiqen që t’ia sigurojnë medikamentet e nevojshme.

“Sipas tyre, trajtimi nga ana e gardianëve të burgut është korrekt. Atyre iu jepet ushqim në baza të rregullta ditore, edhe pse cilësia është jo e mirë. Dje nga autoritetet e burgut iu janë dhënë të brendshme dhe aksesorë të higjienës. Sheh Mustafa ka theksuar se i mungojnë ende medikamentet bazike të cilat i përdor rregullisht për gjendjen e tij shëndetësore dhe kjo po ia vështirëson qëndrimin në burg”, njoftoi ndër tjera Gërvalla.