KryesoreLajme

Kurti del me detaje: Policët u kidnapuan me aksion special, ja kush e kreu

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka dhënë detaje lidhur me kidnapimin e tre policëve kosovarë brenda territorit të Kosovës. Ai ka thënë se aksioni është kryer nga dy njësi speciale të forcave të sigurisë së Serbisë.

“Po flasim për një aksion të Njësive Speciale Antiterroriste dhe i dyti është të formacionit Njësitë Ushtarake Speciale që njihen me emrin Kobra.”, tha Kurti.

“Unë kryeministër i Kosovës e kam marrë vesh porsi ju për arrestimin e njërit nga udhëheqësit e Mbrojtjes Civile, Milun Milenkovic por aq i madh është presioni për arrestimin e tij dhe mbase unë mendoj se ende nuk jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e tij për krimin e organizuar në veri. Kjo është bërë shumë e shumë vite më herët, rregullisht, deri kur u arrestua. E pas arrestimit të tij, që në fakt, pasoi sulmet e organizuara ndaj policisë tonë, ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve, Serbia ushtroi edhe një akt agresioni të pashembullt ndaj republikës tonë duke kidnapuar tre policë të rregullt kufitar. Ata që u ushtruan këtë akt ishin anëtar të ushtrisë së Serbisë të cilët me makina pa targa, të maskuar, kryen një akt agresionit të urdhëruar nga Beogradi zyrtar.”, tha ndër të tjera ai.

Kurti është shprehur se kidnapimi është akt qyqar dhe kjo sipas tij ka ndodhur për shkak se janë bllokuar rrugët ilegale.

“Kjo është në variantin më të mirë një akt qyqar që pasi kidnapoi tre policë që kishin detyrë ruajtjen e kufirit, iku me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe që të gjithë këta policë, të tre që u kidnapuan, nuk ishin për herë të parë aty, 16 rrugë ilegale që i kemi mbyllur duhet të kenë policë që nuk lejojnë që mbylljet fizike të mos jenë mbyllje e kontrabandës sepse në ato rrugë ka interes që kontrabanda që ka super-profit të vazhdojë, prandaj i kemi edhe më tutje njësitet në këto rrugë dhe këta policë nuk janë të pajisur për të mbrojtur kufirin, sepse janë polic në një ambient armiqësor, e kanë detyrë luftimin e kontrabandës. Mirëpo Serbia i ka sjellur njësitet më elite që i posedon në një vend që dihet që gjatë tërë vitit kemi polic në mënyrë tinëzare në thellësi të vendit tonë. Ky vend ndodhet 670 metra larg kufirit me Serbinë në thellësi të territorit të Kosovës.”, tha Kurti.

Ai më tutje u shpreh se kjo është vepër penale ndërkombëtare.

“Dhe asnjë prej policëve që ndodhet në këto patrullime, asnjëherë nuk ka kaluar përtej vendit ku janë bllokuar rrugët ilegale, andaj këto hapje hendeqesh në mes të rrugës janë praktikisht vendi ku policia kujdeset që të mos ketë urëzim, këtu qëndron policia jonë, policia jonë vëzhgon që pengesat të mos urëzohen, kaq bëjnë. Tash, akti i tillë, nga perspektiva njerëzore, qyqar e pengmarrës, përbën një akt agresioni ndaj republikës së Kosovës, vepër e ndaluar në të drejtën ndërkombëtarë, ndërsa kryerësit e saj kanë konsumuar një vepër penale ndërkombëtare.”, tha Kurti.