Lajme

73-vjeçari nga Prishtina vdes pasi lirohet nga burgu për shkak të gjendjes shëndetësore, ishte dënuar me 29 vjet burgim

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në familjen Mehmetoviç në Prishtinë, ku ka humbur jetën një 73-vjeçar. I ndjeri ka qenë në vuajtje të dënimit derisa para disa muajsh kur u lirua për shkak të gjendjes shëndetësore, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Halit Mehmetoviç, i cili ka qenë i dënuar me 29 vjet burgim nga Gjykata, por ai u lirua si pasojë e sëmundjes së kancerit, me të cilën ishte diagnostifikuar.

Për vdekjen e viktimës, familja njoftoi Policinë, teksa edhe autoambulanca intervenoi në vendin e ngjarjes, ku u konstatua vdekja e 73-vjeçarit.

Lidhur me rastin, i biri i të ndjerit ka dhënë deklaratë para zyrtarëve policorë se si kishte ndodhur rasti, teksa nuk kanë dyshime për vdekjen e babait.

Pas përfundimit të ekzaminimve të nevojshme në vendin e ngjarjes dhe mbledhjes së informacioneve të para, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Hetim mbi vdekjen”.