Lajme

62-vjeçari në Ferizaj tenton të hidhet nga vinçi e të vetëvritet, shpëtohet nga policia

Sot, rreth orës 13:00 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se një person mashkull, kosovar i moshës 62 vjeçar, kishte hipur mbi një vinç të lartë rreth 40 metra, afër një objekti banesor në ndërtim në rrugën ’’Ahmet Kaciku’’ në Ferizaj dhe po tentonte të vetëvritej. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipe të policisë nga njësia reaguese dhe njësia e hetimeve së bashku me mbikëqyrësin e ndërrimit të stacionit të policisë në Ferizaj.

Njëkohësisht janë njoftuar edhe ekipe mjekësore nga Qendra Emergjente, si dhe Brigada Zjarrfikësve të Ferizajt, të cilët edhe ata kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Janë marrë të gjitha masat e nevojshme për shpëtim nga ekipet në vendin e ngjarjes, është bllokuar për qarkullim rruga ” Ahmet Kaçiku ” dhe menjëherë mbikëqyrësi i ndërrimit ka filluar të negocioj me viktimën dhe ta bindë atë, që mos të kërcejë/bëjë vetëvrasje nga lartësia. Pas shumë përpjekjeve të mbikëqyrësit të ndërrimit Toger R.H, në ora 13:50 viktima është bindur dhe ka lejuar që të shpëtohet dhe të zbresë nga vinçi në tokë pa asnjë lëndim”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia viktimën e ka shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, rasti është cilësuar ” Vetëvrasje në tentativë”, ndërsa policia po vazhdon hetimet.