Lajme

60 orë pa ndërrim? Rrëfimi për policët e Kosovës në veri që na rrëqeth nga krenaria

Policë të Kosovës kanë mbetur në anën tjetër të barrikadave serbe në veri të vendit tash e rreth 60 orë. Por, përkundër vështirësive me të cilat po përballen – e që me raste janë të shumta – po ia dalin mbanë që të rezistojnë. Më poshtë keni një rrëfim mjaft frymëzues të policëve tanë që ndodhen në vendet më të rrezikshme për momentin në Kosovë.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, gjatë ditës së sotme ngriti pretendime se tash e 55 orë policë të Kosovës po qëndronin pa u ndërruar nga kolegët e tyre në vendet ku ishin pozicionuar në veri të Kosovës.

“Përveç lodhjes e rraskapitjes, atyre tash po ju përfundojnë edhe rezervat e ushqimit.” – u shpreh ajo.

Nacionale ka kontaktuar Policinë e Kosovës për ta pyetur në lidhje me këtë çështje.

“Tentimi për ndërrimin e policëve ka ndodhur në mëngjesin e sotëm.” – na tha Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë për rajonin e Prishtinës. Baki Kelani ndërkohë ishte i paqasshëm deri në publikimin e këtij shkrimi.

Ndërkohë, kryetari i Sindikatës së Policëve të Kosovës, Imer Zeqiri është shprehur se policët në veri kanë ushqim dhe se po tentohet të bëhet ndërrimi i tyre.

“Është duke u tentuar që të bëhet ndërrimi i tyre. Nuk kam informacione se është bërë deri më tani.” – na tha ai.

Për herë të parë në kryeqytet, Prishtinë, sot mbërriti edhe bora e parë derisa temperaturat janë -1 gradë celsius. Imagjinoni të jeni në veri, nën kërcënimin e vazhdueshëm të bandave kriminale, dhe nën vështirësinë e ndërrimit tuaj nga kolegët dhe nën rrezikun e furnizimit me ushqime dhe naftë?

Bukë e krem djathi

Një zyrtar policor në kushte anonimiteti nga veriu i Kosovës (në afërsi të njërës pikë kufitare) ka zbuluar që gjatë ditës së djeshme janë furnizuar thjesht me një “trohë bukë, një jogurt dhe një krem djathi”. Ai po ashtu ka rrëfyer edhe një episod kur kanë mbetur pa naftë në automjet dhe në pamundësi për t’u ngrohur.

Sipas rrëfimit të këtij polici që foli në kushte anonime, ata kanë shkuar edhe në bazën e KFOR-it, ndërsa këta të fundit nuk i kishin lënë të futeshin brenda por iu kishin dhënë megjithatë nga një shujtë me ushqim.

Të tjerë anëtarë të njësisë speciale kanë thënë se kishin ushqim të bollshëm të vendosura nëpër çanta të mëdha. Policia e Kosovës deri tash nuk ka treguar ndërkohë nëse është bërë ndërrimi, apo nëse do të bëhet një tentim i ri për ndërrimin e policëve të deritashëm. Ndërkohë, ka deklaruar se ka pasur ushqim të bollshëm për secilin prej tyre.

Sirena në veri / Kryediplomatja gjermane, Serbisë: Vepro për barrikadat
Kujtojmë se barrikadat në veri u vendosën pasi një ish polic serb me emrin Dejan Pantiq u prangos (dhe të cilit tashmë i është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh).

Serbia e ka rritur ndjeshëm retorikën agresive e luftënxitëse ndaj Kosovës, por policët tanë nuk duan t’ia dinë të gatshëm t’i rezistojnë përveç të ftohtit e vështirësive tjera çfarëdo sfide tjetër që iu del përpara.

Sindikata e Policisë së Kosovës vazhdimisht ka kërkuar kushte më të mira për policët e vendit.

Pse ndodhi barrikadimi?

Serbia po pretendon se nuk ka nën kontroll barrikaduesit por që i mirëkupton qëllimet e tyre. Këta të fundit po protestojnë, e po protestojnë. Pasi protestuan fillimisht zgjedhjet, aktualisht janë në protestë për arrestimin e ish zyrtarit policor Dejan Pantiq.

Opinioni publik në Serbi vazhdon ‘të helmohet’ edhe nga një retorikë agresive dhe luftënxitëse nga lidershipi serb në Beograd por edhe lidershipi i Listës Serbe në Kosovë.

Derisa barrikadat vazhdojnë të bllokojnë rrugët e Kosovës, Serbia vazhdon të ‘shqyrtojë’ vendimin për t’i kthyer 1000 trupa të armatosura në Kosovë duke u thirrur në Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Në anën tjetër, gjatë ditës së djeshme nuk munguan raportimet e pabazuara në mediet serbe e nga politikanët si Goran Rakiq (ish ministër në Qeverinë Kurti II) se Kosova po përgatiste një operacion “Olluja” (operacioni Stuhia) ndaj popullësisë serbe në Kosovë. Kjo gjë u vërtetua të ishte e pavërtetë, por megjithatë elementi i frikës u fut në lojë.

Deri tash, të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës i kanë kërkuar pikërisht Serbisë që të hiqen barrikadat por deri tash kjo kërkesë ka rënë në vesh të shurdhër./NAacionale