6 vite burgim për Fisnik Ramaj që goditi 21 herë me thikë bashkëshorten e tij, vajzën e Halit Baranit
Më 9 shtator 2020 rreth orës 6. 00 të mëngjesit Fisnik Ramaj nga Klina e Poshtme e Skënderajt, mësues i artit në Mitrovicë, derisa ishte duke fjetur bashkëshortja e tij, Qëndresë (Halit) Barani (36) mësuese e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Mitrovicë, me dy fëmijët në dhomën e gjumit, ai e kishte goditur me thikë shumë herë në pjesë të ndryshme të trupit bashkëshorten e tij.
Tri vite pas kësaj ngjarje Fisnik Ramaj edhe në rigjykim është dënuar me 6 vite burgim të premten nga Gjykata Themelore e Pejës pasi akuzohet se kishte tentuar ta mbyste gruan e tij në gjumë, duke e goditur në gjoks 21 herë me thikë. Në gjykimin e parë, ai ishte dënuar me 7 vite burgim.
Foto: Qendresa Barani Ramaj pas sulmit
Shpallja e aktgjykimit është bërë nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Murat Hulaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në shqiptimin e dënimit me 6 vite burgim, gjyqtari tha se do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 9 shtator 2020. Derisa dënimi do t’i shqiptohet 15 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
I akuzuari Rama, u obligua për shpenzimet dhe paushallin gjyqësor në shumë prej 350 euro, si dhe për fondin e viktimave të krimit të luftës shumën prej 50 euro.
E dëmtuara Qendra Barani Ramaj, është udhëzuar në kontest civil të bëjë kërkesë pasurore-juridike.
Gjykata gjithashtu ka refuzuar propozimin e prokurorit të shtetit për shqiptimin e dënimit plotësues ndalimi i ushtrimit dhe funksionit në administratën publike.
Kjo lëndë ishte kthyer në rigjykim pasi që Gjykata Themelore në Mitrovicë kishte shpallur fajtor Fisnik Ramajn, për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”, dhe e ka gjykuar me dënim prej 7 vitesh burgim.
Mirëpo, Gjykata e Apelit të Kosovës, kishte vlerësuar pretendimet anikimore të mbrojtësit të akuzuarit Ramal dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim dhe rivendosje.
Sipas aktakuzës së ngritur më 2 prill 2021 nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, Ramaj ngarkohet se më 9 shtator, me dashje, kishte tentuar ta vriste bashkëshorten B.B-R..
Ramaj ngarkohet se kishte goditur 21 herë me thikë kuzhine në trup bashkëshorten e tij, duke i shkaktuar dëmtime të rënda trupore.
Më këtë sipas aktakuzës thuhet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”, nga neni 173 par.1 pika1.3 lidhur me nenin 28 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.