Lajme

45-vjeçari në Prishtinë dyshohet se u godit së paku gjashtë herë me thikë, kjo është gjendja e tij

Një mosmarrëveshje në trafik mes dy personave sot rreth orës 17:30 në afërsi të Qendrës Tregtare në Kodrën e Diellit eskaloi në sulm fizik ndaj 45-vjeçarit, G.B. ai dyshohet se u ther disa herë me thikë nga pjesëtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fitim Krasniqi, i cili fillimisht u largua nga vendi i ngjarjes, për t’u vetëdorëzuar pas gati 2 orësh në stacion të Policisë, raporton Gazeta Sinjali.

Krasniqi dyshohet se ka goditur së paku gjashtë herë me thikë viktimën të cili i ka shkaktuar lëndime serioze dhe më pas ka ikur me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

45-vjeçari menjëherë është dërguar me urgjencë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kodrën e Diellit, ku i është ofruar ndihma e parë e më pas për shkak të natyrës së lëndimeve, i njëjti është transferuar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Sinjali mëson nga burimet brenda QKUK-së se viktima ka pasur plagë të cilat dyshohet se i janë shkaktuar nga goditjet me mjet të mprehtë në shpinë, kraharorë dhe këmbë. Pas intervenimit të mjekëve, gjendja e tij është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.