Lajme

35 vjeçari nga familja Vrella, plagos me armë 50 vjeçarin

Dita e diel ishte e mbushur me plot incidente gjithandej vendit.

Therje me thikë, plagosje me armë e të shtëna, janë vetëm disa nga rastet që kanë ndodhur në kryeqytet e qytete të tjera. Përveç në Prishtinë, mbrëmë ka pasur një rast të tentim vrasjes edhe në fshatin Gelancë të Suharekës.

Një person ka mbetur i plagosur si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri, teksa i dyshuari është arrestuar, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Emergjenca në Spitalin e Prizrenit kanë bërë me dije se personi që u pranua në këtë qendër, me lëndime në këmbë, është një 35-vjeçar, i cili po merr trajtim mjekësor dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetë.

Sinjali mëson se i riu është qëlluar me armë nga një 55-vjeçar, i cili dyshohet se pas një mosmarrëveshje momentale që ka pasur me viktimën, e ka nxjerrë armën dhe ka gjuajtur në drejtim të tij, duke e lënë të plagosur.

Posa rasti është denoncuar, njësitet policore kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku është gjetur arma që dyshohet se është përdorur nga i dyshuari, me ç’rast është konfiskuar bashkë me municionin.

Pasi janë kryer ekzaminimet e nevojshme në lokacionin ku ndodhi incidenti, Gjykata ka lëshuar urdhër për bastisje në shtëpinë të dyshuarit, ku po ashtu janë gjetur dëshmi që do të shfrytëzohen si prova materiale gjatë procesit të hetimit.

Sipas informacioneve të para, viktima dhe i dyshuari janë nga familja Vrella, por akoma nuk dihet cila është lidhja e tyre familjare dhe motivi që i ka futur në sherr.

55-vjeçari i dyshuar për këtë rast, përveç veprës penale “Vrasje në tentativë”, dyshohet edhe për armëmbajtje pa laje, pasi kundërligjshëm ka mbajtur armë, të cilën e ka përdorur në këtë rast.

Me të përfunduar procedurat policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe brenda afatit ligjor do të ndërmerren edhe veprimet e tjera të nevojshme.