34-vjeçarja gjendet e vdekur te një hotel në Prishtinë, çfarë deklaroi në Polici i dashuri i saj?
Një 34 vjeçare nga Gjakova është gjetur e vdekur në afërsi të një hoteli në dalje të Prishtinë, merr vesh gazeta online Reporteri.net.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, në fshatin Suhadoll, magjistralja Prishtinë-Lipjan. Derisa rrethanat e vdekjes së saj mbesin të dyshimta.
Gazeta online Reporteri.net merr vesh se 34 vjeçarja, para se të gjendej e vdekur, në hotel po qëndronte bashkë me të dashurin e saj. Ky i fundit, siç ka marrë vesh gazeta online Reporteri.net, në polici ka deklaruar se gruaja nga Gjakova u hodh nga dritarja e hotelit, pas një fjalosje mes çiftit.
Viktima, emër i njohur për redaksinë, është vajza e një familje të njohur afariste në qytetin e Gjakovës, derisa vetë ishte një specialiste në estetikën e thonjve.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, përmes zëdhënëses për Rajonin e Prishtinës.
“Sot në stacionin policor të Graqanicës është iniciuar një rast hetim mbi vdekjen, ku viktimë është një femër 34 vjeç, vdekjen e së cilës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Aktualisht policia në koordinim me Prokurorinë ka nisur dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore që do të ndihmonin hetimin dhe sqarimin e rastit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, ka konfirmuar për Reporteri.net, Flora Ahmeti.