29 vjeçarja ankohet se ish burri nuk po e lë rehat, ja çon policinë në shtëpi
Ka shumë raste kur gratë kosovare nuk ‘shpëtojnë’ nga problemet edhe pse zgjedhin që të shkurorëzohen e të ndajnë rrugët me bashkëshortët e tyre, të cilët u shkaktojnë telashe. Edhe pas ndarjes, shumë nga ta nuk i lënë rehat ish-partneret e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në fshatin Landovicë të Prizrenit, ku një person dyshohet se vazhdimisht ka shqetësuar ish-bashkëshorten e tij.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 29-vjeçarja edhe më parë ishte viktimë e dhunës në familjes dhe si rrjedhojë ishte pajisur me urdhër të mbrojtjes nga Gjykata. Mirëpo, as kjo si duket nuk e ka ndalur të dyshuarin që të tentojë ta mbajë nën kontroll viktimën.
Bazuar në dëshminë e saj, ish-bashkëshorti e ka telefonuar dhe e ka ngacmuar e shqetësuar me fjalë të ndryshme.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori ka urdhëruar që ndaj 37-vjeçarit të iniciohet rasti për veprat penale ‘Mospërfillje e Gjykatës’ dhe ‘Dhunë në familje’.