29 vjeçari kërcënon prindërit e tij: Kom me iu mbytë me thikë, kom më iu gju për ballkoni
Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur në qytetin e Pejës, ku në një familje djali dyshohet se ka kërcënuar me jetë babanë dhe nënën e tij të moshuar.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se prindërit e shqetësuar nga veprimet dhe fjalët e të birit, kanë kërkuar ndihmën e Policisë.
Bazuar në dëshminë e tyre, 29-vjeçari i ka kërcënuar se do i mbys me thikë e do i gjuaj nga ballkoni. Madje sipas tyre, i dyshuari disa herë i ka sulmuar dhe me një kaçavidë.
Si rezultat i denoncimit, i riu është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.