Lajme

24 vjeçari dëmton varrin e axhës, kërcet grushti mes familjarëve te varrezat e fshatit

Pllakat përkujtimore dhe varrezat në fshatra të ndryshme në vendin tonë shpeshherë janë cak i keqbërësve, të cilët i dëmtojnë duke shkaktuar kështu dëme të mëdha. Motivet dalin të jenë të ndryshme, por më së shumti lidhen me lokacionet e varreve. Por një rast jo fort i zakontë ka ndodhur sot në fshatin Voksh të Deçanit, raporton Gazeta Sinjali.

Këtë herë problemi lindi mes anëtarëve të një familje, të cilën u përfshinë në një përleshje si pasojë e dëmtimit të një varri.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se gjithçka nisi pasi një 24-vjeçar, për motive ende të panjohura shkoi te varrezat dhe dëmtoi varrin e xhaxhait të tij.

Pas tij, te varrezat dyshohet se shkoi një familjar tjetër, që tentoi ta rregullojë varrin, por u përfshi edhe një anëtar i familjes dhe u rrahën keq me njëri – tjetrin.

Si pasojë e këtij incidenti, të tre të dyshuarit përfunduan në Polici, ku dhanë deklaratat e tyre në lidhje me atë që kishte ndodhur.

Me t’u përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin policor për të dyshuarin që dëmtoi varrin, kurse ndaj dy të dyshuarve të tjerë kanë nisur hetimet për veprën “Sulmi”.