20-vjeçari e kërcënon një person në mes të rrugës, tenton ta ther me thikë
Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve të ndryshme mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur sot në Gjakovë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se incidenti ka ndodhur në rrugën “Beqir Kastrati” në Gjakovë, ku një 20-vjeçar e ka kërcënuar një 34-vjeçar, të cilit ia zuri pritën në mes të rrugës.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për L.M., i cili po dyshohet se përveç kanosjes, ka tentuar edhe ta sulmojë me thikë viktimën, por fatmirësisht ka intervenuar dikush, duke e ndaluar të riun.
Të njëjtat burime thonë se rasti u denoncua menjëherë në Polici dhe një njësi policore arriti që ta arrestojë të dyshuarin në vendin e ngjarjes, ku edhe u konfiskua thika të cilën ai e posedonte.
Pas shoqërimit në stacion policor, i dyshuari është intervistuar nga hetuesit për veprën me të cilën ngarkohet dhe më pas është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit në drejtim të veprës penale “Kanosje”.