18-vjeçarja në Podujevë kërkon ndihmën e Policisë, thotë se e sulmoi seksualisht vëllai i kunatës së saj
Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Zakonisht viktima janë gratë të cilat raportojnë në Polici se janë keqpërdorur seksualisht nga persona të panjohur, por shpesh herë të dyshuar janë edhe persona të afërm të tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë dyshohet të ketë ndodhur mbrëmë në fshatin Gërdovc të Podujevës, ku viktimë është një vajzë e re.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 18-vjeçarja ka denoncuar në Polici vëllain e kunatës së saj, për të cilin thotë se e ka sulmuar seksualisht. Sipas saj, e gjithë ngjarja ka ndodhur në veturë, 23-vjeçari dyshohet se e ka prekur në pjesët intime të trupit.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, mirëpo ai ka mohuar të ketë kryer veprën për të cilën dyshohet. Para hetuesve policore 23-vjeçari ka deklaruar se nuk ka qenë farë në vendin që pretendon viktima dhe të njëjtën nuk e ka takuar.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i dyshuari të hetohet në liri për veprën penale ‘Sulm seksual’.