Lajme

11 doganierë serb japin dorëheqje

Pas kryetarëve të komunave, zyrtarëve policorë, deputetëve, prokurorëve, gjyqtarëve e asamblistëve, dorëheqje nga institucionet e Kosovës kanë ofruar gjatë ditës së sotme edhe disa doganierë.

KALLXO.com mëson se mëngjesin e sotëm doganierë të komunitetit serb, pra zyrtarë të Doganës së Kosovës kanë ofruar dorëheqjet e tyre.

Dorëheqjet janë dërguar te shefi i ndërrimit në pika kufitare ku edhe janë të vendosur doganierët ndërsa të njëjtat më pas do të barten te Dogana e Kosovës.

Nga 11 dorëheqjet e ofruara, dy nga ta janë të nacionalitetit boshnjak e të tjerët të nacionalitetit serb.

KALLXO.com ka kontaktuar me zëdhënësin e Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.

“Kanë dhënë dorëheqje 11 pjesëtarë të Doganës së Kosovës (jo të gjithë oficerë doganorë) të nacionalitetit serb”- tha Stavileci për KALLXO.com.

Që nga 5 nëntori, zyrtarë serbë që kanë punuar në institucionet e Kosovës në veri të vendit, kanë ofruar dorëheqjet e tyre pas suspendimit që iu bë ndaj drejtorit rajonal të policisë në veri Nenad Gjuriq.

I njëjti dyshohej se kishte sabotuar dhe kishte bërë thirrje për rezistencë kur mohoi të shqiptoj fletë- qortime për qytetarët serb që kanë të regjistruara veturat e tyre me tabela ilegale.