Lajme

“10 për qind kamatë”/Kapet nga Policia fajdexhiu, zbulohet aktiviteti kriminal i tij

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, në koordinim me Policinë e Kosovës, pas aplikimit të masave të veçanta hetimore, ka ndaluar një person të dyshuar për veprat penale ‘’Fajdeja’’ dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, raporton Gazeta Sinjali.

Siç bëhet e ditur, i dyshuari G.J., gjatë fundit të vitit 2022 dhe 2023, në komunën e Vitisë, është marrë me aktivitet kriminal.

Sipas Prokurorisë, i njëjti ka dhënë para me fajde në vlerë prej 4.900 euro, me qëllim që pastaj të njëjtat t’i kërkonte nga i dëmtuari M.A., me kamatë prej 10%.

Në aksionin për arrestimin e tij, gjatë zbatimit të urdhër kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur edhe dy armë pa leje.

I njëjti dyshohet se ka kryer veprat e sipërshënuara penale dhe ndaj tij prokurori i shtetit do të kërkojë masën për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë penale.